Fahrush Rexhepi reagon pas incidentit me protestuesit: Rasti do të procedohet në organet e drejtësisë

05.10.2026

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot para Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij, është ndaluar dhe është kapur fizikisht nga disa protestues.

Rexhepi ka thënë se ajo që i ka ndodhur është e papranueshme dhe se rasti nuk do të mbyllet me kërkimfalje.

Ai ka theksuar se ka dhënë kontribut në luftën e UÇK-së së bashku me familjen e tij, duke thënë se akte të tilla nuk i bëjnë nder Kosovës dhe sakrificës së popullit.

“Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.

Deputeti ka bërë të ditur se disa prej personave të identifikuar pas incidentit kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por ka paralajmëruar se rastin do ta ndjekë në rrugë institucionale.

“Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Rexhepi ka falënderuar qytetarët për mesazhet dhe mbështetjen pas incidentit.