Ministrja Rizvanolli: Nga 1 janari 2024 konsumi i energjisë elektrike në katër komunat veriore ra për 35%
Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli përmes një reagimi në profilin e saj ka shkruar se propaganda, lajmet e rrejshme, lufta hibride me anë të përmbajtjes së krijuar me inteligjencë artificiale flasin ndryshe e shumë, por faktet në secilën fushë flasin saktë e qartë!
Krahas reagimit Ministrja Rizvanolli ka publikuar një grafikon sipas së cilit nga 1 janari 2024 deri në gusht konsumi i energjisë elektrike në katër komunat veriore ka rënë për 35%, dhe sipas ministres ky është rezultat i zgjidhjes së çështjes së mospagesës të qytetarëve në ato komuna.
“Ishte një kohë kur në veri lulëzonin laboratorët e drogës, mihja e kriptovalutave, e biznese tjera ilegale të kriminelëve të të gjitha etnive së bashku. Konsumi i energjisë rritej në mënyrë jonormale, 8-13% për çdo vit, e këtë e paguanim ne qytetarët tjerë.
Rezultatet e luftës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës kundër krimit të organizuar filluan të shihen më 2022-3, me rënie 2.5% dhe 8% të konsumit të energjisë. E që nga 1 janari 2024 kur e zgjidhëm çështjen e mospagesës të qytetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, konsumi ra për 35%.
Rikujtojmë që kjo barrë për 24 vite u kushtoi qytetarëve të Republikës së Kosovës 348 milionë euro” thuhet në reagimin e Rizvanollit.
