KEK: Në qershor u siguruan kapacitete prej 108.2% të kërkesës për konsum

03.07.2026

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor 2026 ka arritur të sigurojë kapacitete prodhuese që tejkalojnë kërkesën për konsum të rregulluar, duke ofruar 108.2 për qind të nevojave të tregut.

Sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë muajit qershor janë vënë në dispozicion 305,916 MWh energji elektrike, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 282,608 MWh. Kjo nënkupton se kapacitetet prodhuese kanë tejkaluar kërkesën për konsum me 8.2 për qind.

Korporata thekson se, pas rikthimit në operim të njësive prodhuese, gjatë pjesës më të madhe të muajit ka arritur të ofrojë mbi 120 për qind të kërkesës ditore për konsum, duke dëshmuar stabilitet operacional dhe besueshmëri të kapaciteteve prodhuese.

Sipas KEK-ut, ky rezultat është arritur në një periudhë kur po zbatohen investime të mëdha në modernizimin e njësive gjeneruese, përfshirë rehabilitimin e tyre pas më shumë se katër dekadash operim, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike në fushën e energjisë së ripërtëritshme.