Kosova mes dy rrugëve energjetike: Projekti amerikan i gazit apo rikthimi i gazifikimit të linjitit
Mediumi KOHA ka publikuar një dokument që hedh dritë mbi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës ndaj projektit amerikan të gazit natyror, i cili është parë si një mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike të vendit.
Foto: Ilustrim
Sipas dokumentit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në prill të këtij viti i ka dërguar një letër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ku ka kërkuar mbështetje për një alternativë tjetër energjetike – gazifikimin e linjitit.
Në letër, Rizvanolli përmend idenë e disa ish-funksionarëve të kohës së ish-Jugosllavisë, të cilët kanë deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte operuar një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi gjatë viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80.
Ministrja ka shprehur interesimin që të shqyrtohet mundësia e rikthimit të një objekti të tillë, duke kërkuar mbështetje nga programet energjetike të SHBA-së për realizimin e një studimi të fizibilitetit.
Kjo kërkesë, sipas raportimit të KOHA-s, tregon se Qeveria e Kosovës nuk ishte fokusuar në përfshirjen direkte në projektet amerikane të gazit natyror, por kishte propozuar një rrugë tjetër – shfrytëzimin dhe gazifikimin e rezervave të linjitit në vend.
Ndërkohë, përfaqësues të Ambasadës Amerikane kanë vazhduar të promovojnë projektet amerikane të gazit natyror në Ballkan. E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në një editorial të publikuar në qershor, ka theksuar se Kosova duhet t’u bashkohet këtyre projekteve.
Sipas saj, gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte diversifikimin e furnizimit me energji, do të plotësonte burimet vendore dhe do të forconte më tej partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Prattipati ka theksuar gjithashtu se Kosova duhet të veprojë shpejt, pasi ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për projekte të tilla kërkon kohë.
Debati për zgjedhjen energjetike të Kosovës vazhdon, ndërsa Qeveria ende nuk ka dhënë një shpjegim të plotë publik për arsyet e mosangazhimit në projektin amerikan të gazit.
Çështja është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të sfidave të vazhdueshme energjetike në Kosovë, përfshirë varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe shqetësimet për sigurinë energjetike të vendit.
