BE-ja ndan 34.5 milionë euro për energjinë në Kosovë, synohet modernizimi i rrjetit dhe rritja e burimeve të ripërtëritshme
Bashkimi Evropian do të mbështesë sektorin e energjisë në Kosovë me 34.5 milionë euro investime, të cilat do të përdoren për modernizimin e rrjetit të transmetimit, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe rritjen e efiçiencës energjetike në amvisëri.
Foto: Ilustrim
Një nga projektet kryesore të kësaj mbështetjeje është rindërtimi i linjës 110 kV nga Termocentrali Kosova A deri në Vallaq. Ky investim pritet të rrisë kapacitetin e transmetimit nga 83 në 228 MVA dhe të mundësojë përfshirjen e rreth 50 MW kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Sipas të dhënave të prezantuara, modernizimi i kësaj linje do të ndikojë edhe në uljen e humbjeve në rrjet, me një reduktim të parashikuar prej rreth 3,250 MWh energji në vit.
Përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetje do të marrin edhe qytetarët, ku parashihet subvencionimi i rreth 3,000 shtëpive individuale dhe 20 ndërtesave shumëbanesore. Qëllimi është ulja e konsumit të energjisë, zvogëlimi i kostove të faturave dhe përmirësimi i kushteve të banimit.
Këto investime pritet të kontribuojnë në krijimin e një sistemi energjetik më të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm, duke reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit për rreth 3,200 tonë në vit.
Mbështetja financiare nga Bashkimi Evropian vlerësohet si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e sektorit energjetik të Kosovës dhe në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër.
