Ministrja Hajdari merr vendim për vajrat motorike

12.11.2021

Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të MINT-it, në mbështetje të politikave të mira dhe qeverisjes me mendje dhe duar të pastra të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  Rozeta Hajdari, ka filluar kontrollimin e tregut të brendshëm të produkteve të vajrave motorike dhe me këtë rast ka hasur në vajra motorike pa prejardhje, […]

Ministrja Hajdari merr vendim për vajrat motorike Foto: Ilustrim

Inspektorati i Tregut, që vepron në kuadër të MINT-it, në mbështetje të politikave të mira dhe qeverisjes me mendje dhe duar të pastra të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  Rozeta Hajdari, ka filluar kontrollimin e tregut të brendshëm të produkteve të vajrave motorike dhe me këtë rast ka hasur në vajra motorike pa prejardhje, që d.m.th kanë hyrë në tregun e brendshëm në rrugë jo ligjore (si pasojë e kontrabandimit të mallrave). Pastaj në bazë të rezultateve të testimit dhe verifikimit të mostrave ka rezultuar se ka mospërputhje të përbërjes dhe sasisë të deklaruar në etiketën e produktit.

Në Republikën Kosovës deri më tani nuk ka pasur vullnet për rregullimin e kësaj fushe me aq peshë dhe rëndësi pasi që me legjislacionin në fuqi produktet e vajrave motorike hyjnë në grupin e produkteve që paguajnë akcizë. Po ashtu me mospërputhje të përbërjes dhe sasisë së deklaruar është mashtruar konsumatori si dhe ëshë cenuar  konkurrenca e drejtë në treg, e mbi të gjitha është dëmtuar në masë të konsiderushme buxheti i shtetit.

Prandaj si rezultat i këtij vendimi, Inspektorati i Tregut ka sekuestruar mijëra litra vajra motorike, të cilat janë hasur në treg në kundërshtim me ligjet në fuqi. Ndërsa në bashkëpunim me Doganën e Republikës së Kosovës janë duke u marrë mostra të vajrave motorike në të gjitha pikat doganore për të verifikuar përbërjen e deklaruar. Po ashtu mostrat e vajrave motorike janë duke u dërguar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës për verifikim të sasisë së deklaruar.

Ky proces që nga marrja e mostrave, testimi dhe verifikimi në laborator është pa asnjë kosto  financiare për bizneseset.

Ministrja Rozeta Hajdari, që në ditët e para të marrjes së mandatit, ka shfuqizuar nenet e Udhëzimit Administrativ nr.09/2020 për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngta të Naftës, i cili kishte përcaktuar procedurë me kosto tepër të lartë për bizneset për testimet.

MINT, respektivisht Inspektorati i Tregut do të vazhdojë me kontrollimin, testimin dhe  verifikimin e produkteve vajra motorike, në bashkëpunim të ngushtë me operatorët ekonomikë dhe organet e tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi.

MINT i garanton konsumatorët dhe bizneset e përgjegjshme se nuk do të lejohen të qarkullojnë në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës produktet që nuk i plotësojnë kërkesat ligjore.

3A2998AA-212A-4CF9-8E50-294A9F110949