Ministria e Mbrojtjes uron 8 Marsin dhe premton rritje të numrit të grave në FSK

08.03.2025

Ministria e Mbrojtjes ka uruar të gjitha pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), zyrtaret e Ministrisë së Mbrojtjes, nënat dhe gratë në përgjithësi me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Në një njoftim zyrtar, ministria ka theksuar rëndësinë e kontributit të grave në të gjitha etapat e historisë së Kosovës, duke përfshirë demonstratat e vitit 1981 dhe Epopenë e UÇK-së.

“Në këtë ditë, krahas rolit të pashembullt të nënës në jetën e secilit person, kujtojmë përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë për barazi gjinore, por edhe sukseset që gratë i kanë arritur historikisht,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria ka theksuar se muaji mars është i lidhur ngushtë me qëndresën për liri të kombit shqiptar dhe ka vlerësuar kontributin e paçmueshëm të grave në këtë rrugëtim. “Andaj, sot e përjetësisht duhet ta njohim kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta,” thuhet në njoftim.

Duke njohur sfidat e vazhdueshme në arritjen e barazisë gjinore, Ministria e Mbrojtjes ka shprehur përkushtimin e saj për të rritur numrin e grave në ushtri. “Ministria e Mbrojtjes është e përkushtuar që gjatë katërvjeçarit të ardhshëm të ngrejë numrin e pjesëtareve gra në ushtri në 1000, dhe përtej përqindjes së pjesëmarrjes, të garantojë ngritje profesionale për secilin pjesëtar të FSK-së, qoftë grua apo burrë,” vijon njoftimi.

Ministria ka theksuar se do të zbatojë politika demokratike të bazuara në meritokraci dhe mbikëqyrje civile, me qëllim që të mbështesë avancimin akademik e profesional të gruas në ushtri dhe të parandalojë diskriminimin. “Vetëm duke punuar të gjithë së bashku mund të përmbushim objektivat tona për shtet të sigurt, shtet të së drejtës e barazisë,” përfundon njoftimi.

https://www.facebook.com/OfficialMFSRKS/posts/pfbid02VthREmwGdcESySwii9QqgaFLY3jU5dxicyByVq2BqU6jh8zUzQKSHN4GSEh54NGtl