Ministria e Bujqësisë me njoftim shtesë për subvencionet dhe bujqit

28.09.2021

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për t’ua lehtësuar procesin e aplikimit të gjithë të interesuarve për aplikim në Programin për Pagesa Direkte 2021– Subvencione ka përgatitur sqarimet shtesë, për disa nga kriteret e reja, të cilat janë vendosur në kuadër të këtij programi, si dhe arsyet lidhur me vendosjen e këtyre kritereve në […]

Ministria e Bujqësisë me njoftim shtesë për subvencionet dhe bujqit Foto: Ilustrim

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për t’ua lehtësuar procesin e aplikimit të gjithë të interesuarve për aplikim në Programin për Pagesa Direkte 2021– Subvencione ka përgatitur sqarimet shtesë, për disa nga kriteret e reja, të cilat janë vendosur në kuadër të këtij programi, si dhe arsyet lidhur me vendosjen e këtyre kritereve në programin e këtij viti.

1. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim për subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella me kultura bujqësore:

Në bazë të UA nr. 07/2021 aplikuesi bashkë me aplikacionin duhet të dorëzojë edhe këto dokumente:

– Dëshmi nga kadastra mbi sipërfaqen e tokës së punueshme në Pronësi ose tokës së punueshme të trashëguar e që kur është e trashëguar duhet të dëshmohet me dokumente përkatëse për vijën e gjakut ose kopjen e kontratës që dëshmon disponueshmërinë e tokës së punueshme.

Arsyeja për vendosjen e këtij kriteri:

Deri më tani bazuar në kriteret e parapara me Udhëzim Administrativ dhe Programin e Pagesave Direkte të viteve të kaluara aplikuesve iu është kërkuar dëshmia nga kadastra për sipërfaqen e tokës së punueshme në Pronësi dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë duke e ditur problemin me pronat të pa-rregulluara në tërësi, në bazë të sugjerimit të hartuesve të politikave bujqësore, ka pranuar Certifikatat e Pronës vetëm me mbiemër të aplikuesve.

Mirëpo, në raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë evidentuar të gjetura edhe në procedurat e subvencionimit, ku në këtë raport theksohet se subvencionet e ndara për përfituesit, të cilët kanë qenë të pajisur me fleta poseduese nga kadastra për sipërfaqe të tokave, të cilat nuk kanë qenë në pronësi të tyre, por kanë pasur të njëjtë mbiemrin dhe nuk kanë ofruar dokumente që dëshmojnë lidhjen familjare apo kontratën për marrje me qira të Pronës, janë në kundërshtim me dokumentacionin e kërkuar me UA 03/2020.

Duke u nisur nga këto të gjetura, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2021 ka pasur obligim të zbatojë rekomandimet e dala nga Raporti i ZKA-së. E një ndër këto rekomandime që MBPZhR-ja ka filluar së zbatuari është edhe në rastet kur toka është e paraqitur me mbiemrin e njëjtë si të aplikuesit, ky i fundit duhet të dëshmojë linjën e gjakut me dokumentet siç janë: certifikata e lindjes, certifikata e vdekjes etj. Këto të fundit i duhen bashkëngjitur Certifikatës së Pronës në rast aplikimi për subvencionim.

2. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim për subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella më kultura bujqësore nën 10 hektarë:

Në bazë të UA nr. 07/2021 aplikuesi bashkë me aplikacionin duhet të dorëzojë:

– Kontratën për sipërfaqen e tokës bujqësore të marrë me qira (e lidhur në mes të dy palëve respektivisht qiradhënësit dhe qiramarrësit), në rastet kur toka është e trashëguar duhet që të specifikohet emri dhe mbiemri i personit që e ka trashëguar tokën dhe të nënshkruhet kontrata po nga i njëjti person që është trashëgimtar i tokës. Gjithashtu kontratës i duhet bashkëngjitur kopjet e letërnjoftimeve.

Arsyeja për vendosjen e këtij kriteri:

Pas problemeve të paraqitura vitin e kaluar, që tani disa nga përfituesit janë objekt i hetimit, për të cilët dyshohet se përmes kontratave të falsifikuara për qiramarrje kanë arritur të jenë në listën e përfituesve të subvencioneve, atëherë MBPZhR-ja ka marrë masa për të eliminuar rrezikun e përsëritjes së një dukurie të tillë.

Prandaj, është vendosur kriter që të gjithë aplikuesit që aplikojnë për sipërfaqe nën 10 hektarë tokë të marrë me qira t’i sjellin kontratat e njëjta si vitet e kaluara, por kësaj kontrate për siguri shtesë t’ia bashkëngjisin edhe kopjen e letërnjoftimit të personit qiradhënës, e i cili supozohet se është trashëgimtar i asaj pronë të cilën e jep me qira.

3. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim për subvencionimin e sipërfaqeve të mbjella me kultura bujqësore mbi 10 hektarë:

Në bazë të UA nr. 07/2021 aplikuesi bashkë me aplikacionin duhet të dorëzojë:

– Kontrata për sipërfaqen e tokës bujqësore të marrë me qira (e lidhur në mes të dy palëve qiradhënësit dhe qiramarrësit) duhet të jetë e noterizuar vetëm në ato raste kur tërësia e sipërfaqes së parcelave të marra me qira është më e madhe se 10 hektarë.

Arsyeja për vendosjen e këtij kriteri:

Duke u bazuar në situatën e krijuar në vitet pasuese ku janë subvencionuar sipërfaqe të mëdha me kontrata të panoterizuara, për të cilat dyshohet se kanë qenë jo valide e përmes të cilave aplikuesit kanë arritur të jenë përfitues të subvencioneve, atëherë MBPZhR-ja ka marrë masa për të eliminuar rrezikun e përsëritjes së një dukurie të tillë, pasi që rreziku i keqpërdorimeve të fondeve publike është shumë i lartë tek aplikuesit me sipërfaqe mbi 10 hektarë.

Prandaj, është vendosur që të gjithë aplikuesit që aplikojnë për sipërfaqe mbi 10 ha tokë të marrë me qira t’i sjellin kontratat e noterizuara në mes të qiradhënësit dhe qiramarrësit.

Krahas gjithë kësaj, duhet cekur se kemi pasur raste kur janë shfrytëzuar tokat në emër të pronarëve nga ana e minoriteteve dhe aplikuesit kanë ofruar dëshmi mbi qiramarrje me këto toka, mirëpo nga hetimet e deritashme rezulton se ka dyshime të bazuara se këto kontrata janë të falsifikuara.

Nga ana tjetër kemi raste kur e njëjta Certifikatë e Pronës është përsëritur tek dy e më tepër aplikues, ku në mungesë të një sistemi të besueshëm të teknologjisë informative në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë ka ndodhur që kanë përfituar dy e më tepër aplikues me të njëjtën Certifikatë të Pronës.

Në mes tjerash, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë është përballur po ashtu edhe me raste në të cilat Certifikata e ofruar e Pronës nga ana e aplikuesit me rastin e aplikimit, nuk ka korresponduar me gjendjen reale në terren.

Kjo do të thotë se gjatë aplikimit është paraqitur Certifikatë tjetër e Pronës nga ajo në të cilën është kryer digjitalizimi i parcelës. Kjo ka ndodhur në rastet kur është marrë për bazë vetëm Certifikata e Pronës me mbiemër të njëjtë.

Andaj kontrata për sipërfaqen e tokës bujqësore të marrë me qira (e lidhur në mes të dy palëve qiradhënësit dhe qiramarrësit), duhet të jetë e noterizuar vetëm në ato raste kur tërësia e sipërfaqes së parcelave të marra me qira është më e madhe se 10 ha.