Muja: Subvencionet dhe grantet për fermerët e dëmtuar nga vërshimet do të hapen para fundit të vitit

7 orë

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se subvencionet dhe grantet për kulturat bujqësore të dëmtuara nga vërshimet e këtij viti do të hapen para përfundimit të vitit, me qëllim mbështetjen e fermerëve të prekur.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Muja ka deklaruar se komunat, përfshirë edhe Istogun, tashmë kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe raportet përkatëse i kanë dorëzuar në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Ai ka sqaruar se, sipas legjislacionit në fuqi që nga viti 2023, përgjegjësia për trajtimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore i takon AME-së, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka rol bashkëpunues.

“Qeveria ka krijuar një grup punues për t’u marrë me këto çështje. Roli ynë tani është te pjesa e rigjenerimit të prodhimit përmes subvencioneve dhe granteve për kulturat e dëmtuara. Këto do të hapen para fundit të vitit, pikërisht për t’u dalë në ndihmë fermerëve në nevojë”, ka deklaruar Muja.

Ndër komunat më të prekura ishte Istogu, ku dëmet në sektorin e bujqësisë arritën në rreth 2.9 milionë euro. Breshri shkaktoi dëme të mëdha në pemëtari, veçanërisht në kultivimin e mollëve në Kovragë, si dhe në sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella me shalqi dhe perime.