“Vita” rifillon grumbullimin e qumështit, AUV së shpejti publikon rezultatet e analizave
Qumështorja “Vita” do të rifillojë nga sonte grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është zotuar se do të publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra në këtë dhe qumështore të tjera, raporton Ekonomia Online.
Sipas Ekonomia Online, ky ishte rezultati i një takimi që zgjati rreth tre orë mes ministrit të Bujqësisë, përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve, prodhuesve të qumështit dhe përfaqësuesve të qumështores “Vita”, pas tensioneve të krijuara ditët e fundit lidhur me ndërprerjen e grumbullimit të qumështit.
Anëtari i Bordit të Shoqatës së Fermerëve, Fidan Krasniqi, deklaroi se të gjithë akterët janë pajtuar që të presin rezultatet zyrtare të analizave laboratorike, ndërsa AUV është zotuar se do t’i publikojë ato në afatin më të shpejtë të mundshëm, raporton Ekonomia Online.
Ai sqaroi se vonesa në publikimin e rezultateve lidhet me faktin se mostrat nuk janë marrë vetëm në qumështoren “Vita”, por edhe në shumë qumështore të tjera në vend. Për shkak të specifikave të analizave laboratorike, procesi kërkon më shumë kohë për t’u përfunduar.
Po ashtu, sipas Ekonomia Online, gjatë takimit është arritur një marrëveshje e përkohshme, sipas së cilës qumështorja “Vita” do të nisë që nga sonte grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, me synimin për të shmangur dëme të mëtejshme për prodhuesit.
Krasniqi u shpreh se kjo marrëveshje është arritur në frymën e korrektësisë dhe se në takimet e ardhshme do të trajtohen edhe çështjet e tjera të ngritura nga fermerët gjatë protestave të ditëve të fundit, raporton Ekonomia Online.
