AZHB-ja do të rishqyrtojë aplikimet e fermerëve që janë refuzuar për subvencionimin e grurit
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), ka njoftuar fermerët se gjatë përpunimit të aplikimeve për subvencionimin e grurit, sipas sasisë së prodhuar në kilogramë, është evidentuar një gabim teknik në sistem.
Si pasojë e këtij gabimi, një numër i vogël i fermerëve kanë pranuar vendime për refuzimin e aplikimeve të tyre për subvencionim.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka bërë të ditur se aplikimet e fermerëve të prekur nga ky gabim teknik do t’i nënshtrohen rishqyrtimit administrativ.
Sipas njoftimit, trajtimi i këtyre rasteve do të bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e dorëzuar nga fermerët në momentin e aplikimit.
Pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit, aplikimet do të procedohen në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në aktet përkatëse ligjore dhe nënligjore.
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka kërkuar mirëkuptimin e fermerëve, duke i siguruar se rastet e prekura do të trajtohen me kujdesin e duhur dhe në përputhje me procedurat dhe kriteret në fuqi.
