Ministria del me vendim të ri për rregullimin e çmimit të naftës

31.08.2022

Pas rritjes të sërishme të çmimeve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka vendosur masa tjera mbrojtëse për produktet e naftës. Sipas vendimit të MINT, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 eurocentë për litër, derisa çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë është dymbëdhjetë eurocentë për […]

Ministria del me vendim të ri për rregullimin e çmimit të naftës Foto: Ilustrim

Pas rritjes të sërishme të çmimeve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka vendosur masa tjera mbrojtëse për produktet e naftës.

Sipas vendimit të MINT, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 eurocentë për litër, derisa çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë është dymbëdhjetë eurocentë për litër.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se “MINT-i ka monitoruar tregun e produkteve të naftës dhe çmimet e furnizimit nga importi. Në bazë të raportit të Inspektoratit të Tregut, është evidentuar mospërputhje e çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore”.

“Kjo përbën shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.

Këto masa do të mbeten në fuqi për 30 ditë. Vendimi është marrë dje.

Ndryshe, në mbledhjen e 24 gushtit, u miratua unanimisht plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve tjera.

Shpjegime për këtë udhëzim dha kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai sqaroi se do të ketë sërish tavan për çmimin e naftës, derisa paralajmëroi se do të caktohet tavan i çmimeve edhe për produktet elementare ushqimore.

“Sot kemi pasur edhe vendimin lidhur me çmimin tavan sa i përket naftës, por edhe marzhës së fitimit të tregtarëve me pakicë dhe me shumicë. Pra, edhe duam ta mbrojmë konsumatorin nga rritja e çmimit të naftës, por në të njëjtën kohë edhe ta ruajmë konkurrushmërinë. E kemi edhe nismën legjislative për çmimet bazë që duhet të kenë tavan, sa i përket produkteve elementare ushqimore”, deklaroi Kurti.

Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan vetëm për derivate të naftës.

Tavani i çmimit të tyre ishte përcaktuar çdo 24 orë.