Mediat serbe raportojnë se një ish-pjesëtar i UÇK-së është ndaluar në kufirin Hungari – Serbi

12.10.2024

Në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, atë të Horgoshit, autoritetet serbe thonë se mëngjesin e sotëm kanë arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

Sot rreth orës 06:00 me urdhër të policëve të Drejtorisë së Policisë Kriminale, Shërbimi për Zbulimin e Krimeve të Luftës në pikën kufitare Horgosh (hyrja), një personit i është hequr liria për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit se ai ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

Sipas mediave serbe i ndaluari dyshohet se në qershor të vitit 1999 në Prishtinë, së bashku me disa pjesëtarë të UÇK-së, me përdorimin e forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimeve serioze me jetë dhe gjymtyrë, kanë rrëmbyer bashkëshortët e nacionalitetit serb, pas së cilës janë dërguar në një burg të improvizuar ku kanë vazhduar keqtrajtimin fizik dhe psikologjik.

Gazeta ka cituar zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka shtuar se sipas urdhrit të Prokurorisë Publike për Krime Lufte, të dyshuarit do t’i ndalohet deri në 48 orë, pas së cilës zyrtarët policorë me kallëzim penal do ta dërgojnë në Prokurorinë Publike kompetente për Krime Lufte.

“Për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria Publike për Krime Lufte, nuk mund të japim më shumë detaje për të mos rrezikuar hetimet”, tha ai.