Tri sportiste nga Suhareka përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike për të Rinj në Senegal
Tri sportiste nga Komuna e Suharekës do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike për të Rinj, të cilat do të mbahen në Dakar të Senegalit, nga 30 tetori deri më 13 nëntor 2026.
Bëhet fjalë për Arba Hasanajn në sportin e xhudos, Shega Sejdiun në taekwondo dhe Erisë Avdullahun në atletikë, të cilat do të garojnë në këtë ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare.
Drejtoria për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë (DKRSM) e Komunës së Suharekës ka uruar sportistet për këtë përfaqësim, duke vlerësuar talentin, përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme.
Sipas Drejtorisë, pjesëmarrja e tri sportisteve në këtë ngjarje olimpike përbën një moment krenarie jo vetëm për Kosovën, por edhe për Komunën e Suharekës.
Një vlerësim i veçantë i është kushtuar edhe trajnerit Valmir Fetiu, për angazhimin dhe kontributin e tij në përgatitjen e sportisteve drejt këtij përfaqësimi ndërkombëtar.
DKRSM u ka dëshiruar vajzave suksese dhe paraqitje sa më të mira në garat që i presin, duke shprehur besimin se ato do ta përfaqësojnë denjësisht vendin.
“Suksese, vajza! Suhareka dhe Kosova janë krenare për ju!”, thuhet në urimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë.
