Shembja e pllakës së betonit në Prizren, Inspektorati ndalon punimet në objekt
Gjashtë punëtorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e shembjes së një pllake betoni gjatë punimeve në një objekt ndërtimor në Prizren.
Sipas informatave të deritanishme, tre nga punëtorët e lënduar vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, ndërsa tre të tjerët janë liruar nga spitali për të vazhduar trajtimin në shtëpi. Njëri prej të lënduarve ka pësuar fraktura.
Pas këtij incidenti, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e punimeve në objektin ku ka ndodhur shembja, me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mëtejshme dhe garantimit të sigurisë së punëtorëve.
Nga ky institucion është bërë e ditur se do të vazhdojnë veprimet inspektuese në përputhje me kompetencat ligjore, duke pasur në fokus respektimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan deri te shembja e pllakës së betonit.
