Më shumë se një ditëlindje: 620-vjetori i Skënderbeut, simbol i identitetit dhe krenarisë kombëtare

06.05.2025

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh.T. Z. Petrit Malaj, së bashku me stafin e ambasadës, do të vendosin sot një kurorë me lule pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

Ky akt solemn vjen me rastin e 620-vjetorit të ditës së lindjes së figurës emblematike të historisë shqiptare.

Sipas njoftimit të ambasadës shqiptare në Kosovë, ceremonia e vendosjes së kurorës do të zhvillohet sot, 6 maj, në orën 09:00, në sheshin që mban emrin e heroit në qendër të kryeqytetit kosovar. Ky gjest simbolik shërben si shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e Skënderbeut.

“Me rastin e 620 vjetorit të ditës së lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës Sh.T. Z. Petrit Malaj dhe stafi i ambasadës, në datë 6 Maj ora 09:00, do të vendosin kurorë me lule tek monumenti i tij në qendër të kryeqytetit Prishtinë, në shenjë nderimi e mirënjohjeje për figurën dhe veprën e Heroit tonë Kombëtar”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468) është një figurë qendrore në historinë e Shqipërisë dhe njihet gjerësisht si heroi kombëtar. Përveç kësaj, ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që ndali marshimin e Perandorisë Osmane drejt kontinentit, duke u bërë simbol i rezistencës së krishterë ndaj ekspansionit otoman. Akti i sotëm i Ambasadorit Malaj dhe stafit të ambasadës është një dëshmi e respektit të thellë dhe vlerësimit të përhershëm për trashëgiminë e tij të lavdishme.