Me pasaporta “koordinacija” serbët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza pas 20 ditësh

para 11 dite

Mëngjesin e sotëm, Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian publikoi Rregulloren e 18 shtatorit të këtij viti, përkatësisht dokumentin e nënshkruar atë ditë nga përfaqësuesit e lartë të BE-së për heqjen e vizave për pasaporta të serbëve të Kosovës

Me pasaporta “koordinacija” serbët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza pas 20 ditësh Foto: Ilustrim

“Rregullorja (BE) 2024/2495 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit e datës 18 shtator 2024 që ndryshon Rregulloren (BE) 2018/1806 lidhur me mbajtësit e pasaportave serbe. Dokumenti 32024R2495”, thuhet në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Dekreti u nënshkrua më 18 shtator në Strasburg nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metzola dhe ministri i Çështjeve Evropiane të Hungarisë, Janos Boka.

Është theksuar se vendimi do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

“Kjo rregullore është e detyrueshme në tërësinë e saj dhe e zbatueshme në mënyrë të barabartë në shtetet anëtare në përputhje me Traktatet.”

Në vitin 2009, kur qytetarëve serbë iu dha liria e udhëtimit pa viza në shtetet anëtare të Shengenit, u vendos një kusht i rëndësishëm: regjimi pa viza nuk vlente për bartësit e pasaportave serbe që banojnë në Kosovë.

Për ta përmbushur këtë kërkesë, Serbia themeloi Drejtorinë e Koordinimit, një organ përgjegjës për lëshimin e pasaportave për shtetasit serbë që banojnë në Kosovë.

Heqja e bartësve të pasaportave serbe në Kosovë nga mekanizmi i liberalizimit të vizave vjen për shkak se Serbia nuk kontrollon e as nuk ka juridiksion në veri të Kosovës dhe nuk mund të ofrojë garanci për bartësit e këtyre pasaportave.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, numri i personave që posedojnë pasaportë serbe të lëshuar nga Drejtoria e Koordinimit është rreth 97,000. Megjithëkëtë, sipas një raporti të raportuesit të Parlamentit Europian (PE), Matjaz Nemec, numri i personave me këtë lloj pasaporte llogaritet të jetë 18,000.