Grafite kërcënuese ndaj Kurtit në veri, rasti iniciohet si kanosje

03.09.2025

Mbrëmë në Mitrovicë të Veriut janë hasur grafite me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar për mediat se rasti ka ndodhur në rrugën “Vasilije Ostrovski”, ku në një mur ishte shkruar një mesazh kërcënues në gjuhën serbe. Në shqip, grafiti ka kuptimin: “Kur në Kosovë do të agojë, Albin Kurti më s’do të rrojë”.

“Mbrëmë pas orës 21:00 në rrugën Vasilije Ostrovski në Mitrovica Veri, në mur është shkru një shkrim adresuar kryeministrit Kurti. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar është inicu rast kanosje. Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar. Shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendos më herët në rrjetin social Telegram,” ka deklaruar Elshani.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet, ndërsa rasti është iniciuar me veprën penale “Kanosje”. Deri më tani nuk ka të dyshuar apo persona të arrestuar lidhur me këtë ngjarje.

Autoritetet theksojnë se rasti do të trajtohet me prioritet, duke marrë parasysh natyrën kërcënuese të grafiteve dhe adresimin e tyre ndaj kreut të Qeverisë së Kosovës.