Policia e Kosovës sekuestron armë dhe mjete shpërthyese në tri lokacione në veri
Policia e Kosovës ka realizuar sot, më 17.02.2026, tri operacione të ndara në rajonin e Mitrovicë Veri, pas informatave të pranuara nga qytetarët për praninë e armëve dhe mjeteve ilegale.
Foto: Ilustrim
Në rastin e parë, gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potok, u sekuestruan 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një emblemë me disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti i dytë u zhvillua në fshatin Zhitkovc të Zveçan, ku në një hambar të një shtëpie të braktisur u gjetën dhe u sekuestruan një armë AK-47, një granatë dore M-57, tre karikatorë të zbrazët, 145 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë.
Në rastin e tretë, në fshatin Varage të Zubin Potokut, policia gjeti një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.Në rastet II dhe III, në vendin e ngjarjes intervenuan edhe njësitë për deminim (EOD), të cilat larguan mjetet shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.
Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nuk raportohet për persona të arrestuar.Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të vazhdojnë raportimin e informatave në numrin 192, në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
