Mbi 150 mjekë mund të ikin nga Kosova deri në fund të vitit, MSH-ja: Nuk mbetemi pa kuadro

14.08.2021

Mosrritja e pagave ashtu siç u ishte premtuar gjatë tërë kohës, ka zhgënjyer punëtorët shëndetësorë në vend, të cilët edhe më shumë kanë shprehur interesim për të ikur nga vendi. Fluksi i ikjes së mjekëve thuhet se tashmë ka filluar të rritet. Më 2019 ishte bërë pezullimi i Ligjit të Pagave nga ana e Gjykatës […]

Mosrritja e pagave ashtu siç u ishte premtuar gjatë tërë kohës, ka zhgënjyer punëtorët shëndetësorë në vend, të cilët edhe më shumë kanë shprehur interesim për të ikur nga vendi.

Fluksi i ikjes së mjekëve thuhet se tashmë ka filluar të rritet.

Më 2019 ishte bërë pezullimi i Ligjit të Pagave nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ku nga ajo kohë profesionistët shëndetësorë kanë shprehur interesim edhe më të madh për ofertat për punë, që u vijnë nga jashtë. 

Shtetet evropiane e sidomos Gjermania kanë hapur dyert për rekrutimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova.

Por, përkundër faktit se largimi i mjekë vazhdon të jetë sfidues për vendin, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për EkonomiaOnline se Kosova nuk do të mbetet pa kuadro mjekësore.

Hoti ka potencuar se MSh-ja do të jetë e fokusuar të krijojë kushte për profesionistët e ri shëndetësor, në mënyrë që ta gjejnë veten edhe në vendin e tyre.

Po ashtu zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë ka shtuar se si ministri kanë kontrata me një numër të konsiderueshëm të mjekëve të cilët janë ndjekur në programin e shkollimit specialistik dhe në kuadër të përgjegjësive apo kontratave që ministria i ka nënshkruar me ta është që ata ta përmbushin orarin prej 40 orëve punë dhe dy kujdestari të cilat i paguan ministria e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë ka kontrata me një numër të konsiderueshëm të mjekëve të cilët janë duke ndjekur programin e shkollimit specialistik dhe në kuadër të përgjegjësive apo kontratave që ministria i ka nënshkruar me ta është që ata ta përmbushin orarin prej 40 orëve punë dhe dy kujdestari të cilat i paguan ministria e Shëndetësisë. Sa i përket përgjegjësive të ministrisë së Shëndetësisë ajo i përmbush këto obligime.

Fenomeni i largimit të kuadrit mjekësor nuk është diçka që ka prekur vetëm Kosovën. Është duke ndodhur edhe në vende tjera. Ne duhet të fokusohemi të krijojmë kushte që profesionistët e ri shëndetësor ta gjejnë veten në vendin e tyre dhe të kenë mundësi edhe të punësohen. Përkundër trendit që vazhdimisht ka largim të kuadrove nga Kosova shteti nuk do të mbetet pa kuadro mjekësore”, tha Hoti.

Pleurat Sejdiu, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, ka thënë se deri në fund të vitit mund të largohen nga Kosova deri në 150 specializantë, kjo për shkak të kushteve të punës dhe pagave të vogla.

Sejdiu ka shtuar se për një gjë të tillë kanë folur edhe me ministrin, në mënyrë që të gjendet një modalitet që këto probleme të rregullohen, mirëpo kanë hasur në vesh të shurdhër nga Qeveria.