Mbi 100 ish-drejtues dhe ushtarë të UÇK-së dhe 850 persona civil janë intervistuar nga Specialja

01.02.2020

Gjykata Speciale si vitin që lamë pas edhe këtë vit e ka nisur me vrull punën, ku në më pak se një muaj ka ftuar 13 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po ashtu kjo gjykatë vitin e kaluar kishte ftuar për intervistim rreth 250 persona. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së […]

Mbi 100 ish-drejtues dhe ushtarë të UÇK-së dhe 850 persona civil janë intervistuar nga Specialja Foto: Ilustrim

Gjykata Speciale si vitin që lamë pas edhe këtë vit e ka nisur me vrull punën, ku në më pak se një muaj ka ftuar 13 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po ashtu kjo gjykatë vitin e kaluar kishte ftuar për intervistim rreth 250 persona.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se për ta Gjykata Speciale vazhdon të mbetet e papranueshme dhe e padrejtë.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e protestave për të treguar se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka të bëjë asgjë me atë se për çfarë po akuzohen pjesëtarët e saj.

“Është e vërtetë që Gjykata Speciale edhe këtë vit ka filluar me një ritëm shumë të madh të ftesave. Deri më tash ka dërguar 10 ftesa, që i ka ftuar 10 veteranë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, prej tyre janë 4 të dyshuar dhe 6 në cilësinë e dëshmitarit. Për ne gjithmonë ka qenë e papranueshme dhe është e papranueshme dhe arsyeja është se është gjykatë e njëanshme, e padrejtë në këtë aspekt, kështu që për ne tash jemi bërë edhe si njëjtë me këto ftesa nga gjykata. Por ne kategorish jemi kundër tyre që UÇK ka qenë një luftë e drejt që e kemi bërë në vendin tonë, por përkundrazi ne e kemi larguar ushtrinë serbe nga Kosova’’.

Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka rritur dinamikën e ftesave për intervistim të personave, në cilësinë e dëshmitarëve dhe të dyshuarve.  Mbi 100 ish-drejtues dhe ushtarë të UÇK-së dhe 850 persona civil janë intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kjo zyrë është pyetur nga arbresh.info, se sa persona janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve dhe sa persona janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar po zbaton mandatin e saj. Zbatimi i këtij mandati përfshin  praninë dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve; mbledhjen dhe shqyrtimin e informacionit dhe të provave si edhe marrjen e vendimeve për fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e procedurave penale”, është përgjigja që ka përcjell kjo zyrë.

Avokati Gashi: Mbi 100 ish-pjesëtarë të UÇK-së, janë intervistuar nga Gjykata Speciale, ndërsa 850 është numri që janë intervistuar dhe qe nuk janë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Tanimë ka arritur mbi 100 numri i pjesëtareve të UÇK-së, që janë intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë, dhe shumica e tyre janë intervistuar në cilësinë si të dyshuarve, ndërsa numri i përgjithshëm i dëshmitarëve ka kaluar mbi 850 që janë intervistuar dhe qe nuk janë ish-pjesëtarë të UÇK-së, e shumica e dëshmitareve janë jashtë Kosovë dhe atë me së shumti ka dëshmitarë të intervistuar në republikën e Serbisë, por një gjë dihet, aktakuza do të ketë dhe atë shumë shpejtë”, ka thënë avokati Gashi.

Gashi ka shtuar se Zyra e Prokurorit Special në Hagë, e ka në dorë se kur do të bëhen publike akuzat e para.

“Askush, nuk mund ta thotë kohën e saktë se kur do të behën publike akuzat e para kundër pjesëtareve të UÇK-së. Ketë e ka në dorë vetëm Zyra e Prokurorit Special në Hagë, dhe vetëm ajo zyre e din se kur do të behën publike akuzat e para ndaj ish-pjesëtareve te UÇK-së. Kjo është e gjithë e vërteta dhe të gjitha të tjerat janë spekulime të pa nevojshme”, ka shtuar ai.

Në mesin e personave të intervistuar deri më tani nga Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale, qoftë në cilësinë e të dyshuarve apo të dëshmitarëve janë ish udhëheqës të lartë të UÇK-së, si Ramush Haradinaj, Bislim Zyrapi, Rrustem Mustafa-Remi, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi dhe ish-eprorë e ushtarë të tjerë të UÇK-së./arbresh.info/