Krasniqi: Rritja e numrit të infektuarve me COVID-19 tregon se Kosova mund të përjetojë valë të re të pandemisë

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka folur për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Krasniqi ndër të tjerash ka thënë se gjendja me këtë virus po rëndohet ditët e fundit, ndërsa nuk mohon mundësinë që Kosova të jetë në prag të një vale të re me COVID-19.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur trend në rritje të rasteve të të infektuarve dhe është përcjellë më rritje te rasteve për trajtim spitalor. Gjatë janarit dhe shkurtit kemi pasë situatë të qetë, por tash, sidomos këtë javë kemi hyrë në fazë me trend në rritje të të infektuarve”, tha ai.

Krasniqi tha se krahasuar me dy muajt paraprak kur numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 ishte rreth 460, tash thotë se ka shkuar në 573 për shumë më pak ditë. Shton se kjo është një rritje e të hospitalizuarve për 15 për qind.

Pikërisht këto, thotë Krasniqi, janë indikatorë se Kosova mund të përjetojë një valë të re.

Ai nuk i vë faj vetëm fushatës zgjedhore me tubimet partiake për numrin në rritjeve të rasteve, por thotë se ka edhe arsye të tjera.

“Grumbullimet gjatë fushatës njihen si super shpërndarës të virusit dhe kanë rolin e vet, por kanë ndikim edhe aktivitetet e tjera. Si duket ka filluar një humbje e përqendrimit individual dhe kolektiv ndaj pandemisë. Nuk guxojmë të shpërqendrohemi. Çdo mosrespektim i masave shkon me shpërndarje më të madhe të virusit”, tha ai në KTV.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se masat anti-COVID, të cilat janë në fuqi duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët e vendit.

Rikujtojmë se vetëm gjatë ditës së enjte janë konfirmuar 591 raste të reja me COVID-19 dhe janë regjistruar 7 viktima nga ky virus.

Ndërsa në mbledhjen e së enjtës të mbajtur nga Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj me Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë, është vendosur që të vazhdohet me masat të cilat janë aktualisht në fuqi, por nuk kanë përjashtuar mundësin për shtërngim të masave mbrojtëse në rast se numri i të infektuarve rritet.

RAPORTO