SHSKUK hap tender mbi 1.2 milion euro për furnizim me barna esenciale
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka hapur tender në vlerë prej mbi 1.2 milion euro për furnizim me barna esenciale, pas raportimeve të vazhdueshme për mungesë të medikamenteve në klinikat e QKUK-së.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurimit, kontrata parasheh furnizimin me barna nga lista esenciale për nevojat e institucioneve shëndetësore që funksionojnë në kuadër të SHSKUK-së.
Vlera e parashikuar e tenderit është 1,278,397.14 euro.Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar më 22 qershor 2026, në ora 13:00, ndërsa njoftimi për kontratë është publikuar më 27 maj.
Mungesa e barnave esenciale vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore në sistemin publik shëndetësor, duke detyruar shumë pacientë që terapitë t’i sigurojnë me mjete personale në barnatoret private.
