KQZ aprovon buxhetin prej 16.1 milionë eurosh për Zgjedhjet Lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja kap vlerën e 16 milionë e 126 mijë e 364 eurove.
Nga buxheti i përgjithshëm i planifikuar, KQZ do të kërkojë një buxhet shtesë prej gati 6.5 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës.
Shpenzimet dhe risitë e buxhetit
Sipas të dhënave nga KQZ-ja, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë planifikuar për trupat zgjedhore që do të angazhohen në këto zgjedhje, siç janë komisionerët dhe stafi tjetër. Vetëm për të mbuluar shpenzimet e kësaj kategorie, janë paraparë mbi 7 milionë euro.
Në këtë planifikim buxhetor është paraparë edhe kostoja për të mbuluar shpenzimet për votuesit jashtë vendit. Duke filluar nga këto zgjedhje, KQZ pritet t’iu dërgojë pakon me fletëvotime të gjithë shtetasve që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës, duke shënuar një risi në procesin zgjedhor.
Kufizimi i shpenzimeve të fushatës
KQZ-ja gjithashtu mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të tetorit.
Sipas vendimit, një subjekt politik, në komunën ku do të marrë pjesë në zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë 2 euro për votues të regjistruar në atë komunë. Kjo vlerë u vendos pas debateve, pasi shuma e propozuar më herët (1 euro dhe 1.5 euro) u kundërshtua nga anëtarët e KQZ-së.
Alban Krasniqi nga LVV-ja në KQZ kërkoi rishikim të shpenzimeve, duke argumentuar se “kur flasim për 38 komuna, shpenzimet janë shumëfish më të mëdha në secilën komunë. E konsideroj të nevojshme që ky prag të jetë minimumi 1.5 euro për këto zgjedhje”.
Edhe Ilir Gashi anëtar nga PDK-ja theksoi se nuk duhet bërë ngufatje e shpenzimeve të subjekteve. “Që më pastaj ato të detyrohen apo kandidatë të caktuar të bëjnë veprime të jashtëligjshme e t’i ikin pastaj edhe vetë deklarimit. Periudha 4-mujore është bukur e gjatë që subjektet politike të shërbehen vetëm me 1 euro,” tha ai.
Muharrem Nitaj i AAK-së pyeti për kriteret e vendosjes së shumës, duke komentuar se “1.5 euro për votues, kjo do të thotë një kafe për kokë banori, për një votues”.
Në fund, me 11 vota të anëtarëve, u vendos që shuma për votues të jetë 2 euro. Megjithatë, subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.
Kufizimet e shpenzimeve maksimale të lejuara për fushatë zgjedhore zbatohen për çdo mall dhe shërbim të shpenzuar në komunat përkatëse për qëllime të fushatës, pa marrë parasysh kohën e blerjes apo të pajisjes me shërbime. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore për fushatën, monitorimin e saj, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve në secilën komunë, sipas të cilës numri i përgjithshëm i votuesve në vend është 2 milionë e 71 mijë e 544 votues.