KOSTT apelon për përdorim racional të energjisë, nuk përjashtohen reduktimet në rast të mbingarkesave
Korporata Operative e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka bërë të ditur se kërkesa më e lartë për energji elektrike në vend po regjistrohet kryesisht gjatë intervaleve 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00. Këto orare konsiderohen si periudha të pikut, ku ngarkesa në sistemin elektro-energjetik arrin nivele të larta.
Në këtë kontekst, KOSTT u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që, sipas mundësive të tyre, të ndërmarrin veprime praktike për uljen e konsumit të energjisë dhe lehtësimin e ngarkesës së sistemit. Sipas njoftimit, kjo përfshin përdorim më të kujdesshëm të pajisjeve elektrike, zhvendosje të konsumit jashtë orëve të pikut si dhe shfrytëzim sa më efikas të energjisë në përgjithësi.
Të dhënat e fundit të sistemit tregojnë se zonat me ngarkesë më të lartë janë nënstacionet Rahovec, përfshirë edhe zonën e Malishevës, Prizreni 1, Gjilani 1 dhe Lipjani. Në këto rajone kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë i qytetarëve, me qëllim shmangien e mbingarkesave dhe ruajtjen e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.
KOSTT paralajmëron se operimi i sistemit në kushte mbingarkese mund të imponojë zbatimin e reduktimeve të kontrolluara dhe të përkohshme të furnizimit me energji elektrike. Këto masa konsiderohen të domosdoshme nga aspekti teknik për mbrojtjen e stabilimenteve dhe aseteve kritike të sistemit elektro-energjetik, të cilat janë thelbësore për furnizimin e sigurt të vendit.
Në rast të reduktimeve, qytetarët udhëzohen që me mirëkuptim t’i largojnë pajisjet elektrike nga rrjeti deri në rikthimin e furnizimit, në mënyrë që të mbrohen pajisjet shtëpiake dhe të mundësohet rikthimi sa më i shpejtë dhe i sigurt i furnizimit normal.
Për transparencë dhe informim të vazhdueshëm, KOSTT ka bërë të ditur se do të njoftojë rregullisht publikun lidhur me gjendjen e sistemit elektro-energjetik dhe veprimet që po ndërmerren për ruajtjen e stabilitetit.
Sipas KOSTT-it, vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët dhe përdorimit të kujdesshëm të energjisë elektrike mund të sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe i besueshëm për të gjithë qytetarët.