KEK rrit prodhimin e energjisë: Mbi 110 mijë MWh më shumë në dhjetor 2025 dhe janar 2026
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë dy muajve të fundit, dhjetor 2025 dhe janar 2026, falë operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese, veçanërisht përmes funksionimit njëkohësisht të tri njësive të Termocentralit Kosova A.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, që paraqet një rritje prej 27 për qind apo 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërkaq, në muajin janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që nënkupton një rritje prej 32.9 për qind, respektivisht 63,003 MWh më shumë energji elektrike.
Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar rreth 110 mijë MWh më shumë prodhim të energjisë elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend dhe në stabilitetin e furnizimit energjetik.
