Suhareka në mesin e 7 qyteteve që mund të kenë probleme me energjinë elektrike sonte
Afër 500 punëtorë të KEDS janë të angazhuar të mërkurën për të qenë në gatishmëri të plotë dhe për të intervenuar menjëherë në rast të ndonjë avarie në rrjetin elektrik, gjatë periudhës së ndërrimit të moteve dhe rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimeve zyrtare, për datën 31 dhjetor është paraparë furnizim i rregullt me energji elektrike në të gjithë vendin. Megjithatë, për shkak të ngarkesës së madhe në rrjet dhe kufizimeve nga ana e transmisionit, disa zona mund të jenë më të ndjeshme ndaj ndërprerjeve të mundshme. Në mesin e tyre përfshihet edhe Suharekë, përkrah Prizrenit, Dragashit, Rahovecit, Shtimes, Xërxës, Malishevës dhe Lipjanit.
Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, për Koha.net ka bërë të ditur se kompania ka punuar intensivisht në planin operativ për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë natës së ndërrimit të viteve. Ajo ka theksuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik, në mënyrë që sistemi të përballojë rritjen e jashtëzakonshme të konsumit.
Sipas saj, më 29 dhjetor, rreth orës 23:00, është shënuar piku më i lartë i shpërndarjes së energjisë elektrike, me një vlerë prej 1418 megavatësh, që paraqet një rritje prej 7.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky nivel i konsumit konsiderohet ndër më të lartët e regjistruar ndonjëherë në vend.
Pavarësisht kësaj ngarkese të lartë, nga KEDS sigurojnë se furnizimi me energji elektrike pritet të jetë i rregullt, ndërsa ekipet në terren do të jenë të shpërndara edhe në rajonin e Suharekës, për të reaguar shpejt në rast të ndonjë problemi teknik.