Kosovari 43-vjeçar vritet me thikë në Zvicër, arrestohet 56-vjeçari nga Uganda
Një 43-vjeçar me shtetësi kosovare është gjetur i vrarë me thikë në apartamentin e tij në Dietikon të Cyrihut, mbrëmjen e së premtes.
Policia zvicerane ka arrestuar pak më vonë një 56-vjeçar nga Uganda, i cili dyshohet si autori i krimit.
Sipas njoftimit të policisë kantonale të Cyrihut, viktima ka lajmëruar vetë autoritetet pak pas orës 23:00. Oficerët e policisë që mbërritën në vendin e ngjarjes e gjetën 43-vjeçarin me plagë të rënda në apartamentin e tij.
Pavarësisht ndihmës së shpejtë mjekësore, kosovari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje, shkruan sda.ch.
Raportimet e para bëjnë të ditur se i dyshuari kryesor për këtë vrasje është një 56-vjeçar me origjinë nga Uganda. Ai u arrestua nga policia pak kohë pas krimit, në stacionin e trenit të Dietikonit.
Motivet e kësaj ngjarjeje tragjike dhe lidhja mes viktimës dhe të dyshuarit mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim nga autoritetet zvicerane. Policia pritet të japë më shumë detaje pas zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij akti të dhunshëm.