Zhduket 5-vjeçari shqiptar në lumin Reuss në Zvicër, familja apelon për ndihmë në kërkime
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Zvicër, pasi 5-vjeçari Tian Rahimi rezulton i zhdukur që nga dita e shtunë pas një aksidenti me varkë në lumin Reuss, në zonën e Mühlau-t të kantonit Aargau.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të familjes Rahimi-Hyda, vogëlushi u zhduk në ujë gjatë aksidentit dhe ende nuk është gjetur, pavarësisht operacioneve intensive të kërkimit.
Sot shënohet dita e tretë e kërkimeve, ku përveç ekipeve zyrtare të shpëtimit, familja ka bërë thirrje për mbështetje nga vullnetarët dhe qytetarët që mund të ndihmojnë në gjetjen e Tianit.
“Me dhembje të madhe ju njoftojmë se familja jonë po përballet me një ngjarje tepër të rëndë. Tiani ende nuk është gjetur dhe çdo ndihmë është e mirëpritur”, thuhet në apelin e familjes.
Personat që dëshirojnë të bashkohen në kërkime ose që kanë ndonjë informacion lidhur me rastin, mund të kontaktojnë në numrat: +41 76 280 90 49 dhe +41 78 880 28 87.
Autoritetet zvicerane po vazhdojnë operacionin e kërkimit përgjatë lumit Reuss, ndërsa familja dhe të afërmit mbeten me shpresën për gjetjen e 5-vjeçarit.
