Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për faljen e 100 eurove të Tatimit në Pronë

19.04.2023

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë. Murati ka thënë se falja e 100 eurove të para për tatimin në pronë do të zvogëlojë barrën buxhetore për qytetarët. Ai tha […]

Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për faljen e 100 eurove të Tatimit në Pronë Foto: Ilustrim

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë.

Murati ka thënë se falja e 100 eurove të para për tatimin në pronë do të zvogëlojë barrën buxhetore për qytetarët.

Ai tha se në projektligj përfshihet edhe ulja e pragut të tatimit në pronë nga 0.15 për qind në 10 për qind, ndërkaq, potencoi se prej vitit 2025 do të fillojë zbatimi i tatimit progresiv.

“Propozimi është për zbritjen apo faljen e 100 eurove të para deri në shumën vitit aktual për tatim paguesit e tatimit në pronë, në mënyrë që të lehtësohet barra për qytetarët.

Për më tepër, sa i përket vitit 2024 ka disa ndryshime tranzitore, për shembull shuma e zbritur nga tatimi apo vlera e tatueshme e banimit rezidencial, në ligjin aktual është 15 mijë euro, kurse propozimi është që të dyfishohet në 30 mijë eurot e para”, tha Murati.

“Po ashtu, është bërë një ndryshim sa i përket tokës, pra është bërë që 50 mijë eurot e para të vlerës për tokë bujqësore të lirohet nga tatimi. Në periudhën kalimtare është paraparë edhe ulja e pragut të shkallës tatimore të poshtme që aktualisht për gjitha kategoritë është 0.15 për qind, andaj është paraparë të ulen në 0.10 për qind, ku iu mundësohet komunave që të ulin këtë prag. Nga viti 2025 e tutje pastaj, është paraparë që të fillojë zbatimi i tatimit progresiv”, ka shtuar ai.

Por, kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti. Ai kritikoi ministrin Murati se po ndërmerr një reformë të madhe të tatimit në pronë në mënyrë at-hoc, e cila sipas tij është jo profesionale dhe e dëmshme.

Ai paraqiti disa të dhëna të cilat tha se i ka kalkuluar vet, ku thekson rënien e të hyrave komunale dhe trefishimin e tatimit në pronë për bizneset.

“Një reformë kaq e madhe me kalua në këtë mënyrë at-hoc është jo profesionale dhe e dëmshme. Unë i kam bërë disa vlerësime për ndikimin buxhetor që ka në komuna ky projektligji. E kam marrë vetëm komunën e Prishtinës si mostër e komunave gjithandej. Mua po më del se nga rreth 92 mijë fatura që lëshohen për tatimin në pronë, 47 mijë fatura janë me vlerë deri 100 euro, ndërsa 44 mijë të tjera janë me vlerë mbi 100 euro. Si ngarkesë totale, Komuna e Prishtinës i ka 16.9 milionë euro, prej të cilave 6.8 milionë tash falen me këtë vendim. Një pronë që ka vlerë 5 milionë që është pronë krejt e vogël rrugës për Veternik, 116 për qind i rritet tatimi në pronë. Një pronë tjetër që ka vlerë 20 milionë euro 175 për qind”, theksoi Hoti.

Atij iu kundërpërgjigj ministri Murati, i cili tha se edhe në bazë të kalkulimeve të deputetit Hoti, komunat prapë do të arrijnë t’i mbledhin të hyrat për tatimin në pronë mbi nivelin e vitit të kaluar.

“Nëse ju kuptova saktë në rastin e Prishtinës ju thatë se nga tatimi në pronë ka diku 16 milionë euro të hyra dhe 6 milionë i bie të falen sipas këtij propozimi, apo jo. Kjo i bie që komuna prapë 10 milionë euro i mbledh nga faturimi. Nëse ju kam kuptuar saktë ju e thatë që tatimi në pronë është dyfishuar që i bie që ky 16 milionëshi përpara ka qenë 8 dhe tash është bërë 16 milionë. Nëse ka qenë 8 dhe është dyfishuar është bërë 16, kjo që i thatë ju”, theksoi Murati.

Tash nëse ka qenë 8 milionë dhe është bërë 16 pasi është dyfishuar sipas juve. Tash me këtë zbritje apo falje të tatimit po iu mundësojmë që mbi 50 për qind të qytetarëve të Komunës së Prishtinës të mos paguajnë fare dhe nivel vendi 85 për qind të mos paguajnë fare dhe prapë Komuna e Prishtinës të mbledh pak më shumë se bizneset e mëdha po paguajnë më tepër për shkak të rivlerësimit, nuk po shoh se ka një problem këtu”, deklaroi ai.

Ndërkaq, sa i përket tatimit progresiv, Murati tha se nuk e sheh asnjë problem që dikush që ka vlerë të pronës mbi 5 milionë euro të paguajë më shumë tatim

“Nuk shoh ndonjë problem që dikush që ka vlerë të pronës 5 milionë euro apo 20 milionë euro të paguaj pak më shumë. Nëse ka paguar 20 mijë tatim dhe tash i bie 30 apo 40 mijë euro, nuk e shoh që është problematike”, tha ai.

Kritik ndaj qasjes së ministrit Murati për tatimin në pronë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Ka komuna që i dëmton, pasi ka komunë një leje të ndërtimit, si Kamenica, Juniku, Deçani se sa leje të ndërtimit i lëshon. Nëse bazën e të hyrave i ka në tatimin në pronë kjo i dëmton. Tani nëse dëshirojmë t’i lirojmë qytetarët atëherë ne diçka duhet me veprua. Është dashur një konsultë paraprake më e gjerë me qytetarët, bizneset dhe ata që kanë impakt pozitiv në ekonominë e Kosovës”, tha ai.

Komisioni në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe raportin me amendamente të komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport për Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. /KP/