Kolona të gjata në Merdarë, afër tri orë pritje për të dal nga Kosova

29.08.2025

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se situata në disa pika të kalimit kufitar mbetet e vështirë, me kolona të gjata dhe pritje të zgjatura për qytetarët që po largohen nga Kosova.

Sipas përditësimit të fundit, në pikën kufitare të Merdarës pritja për të dalë nga vendi arrin deri në 2 orë e 40 minuta, apo 160 minuta. Kolona e mjeteve në dalje është rreth 900 metra, duke krijuar vështirësi të mëdha për udhëtarët.

Gjendje e ngjashme është raportuar edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë. Aty pritja për të kaluar kufirin është deri në 30 minuta, ndërsa kolona e veturave arrin deri në 100 metra.

Këto vonesa vijnë në periudhë kur shumë bashkatdhetarë kthehen nga pushimet verore ose nisen drejt vendeve të tyre të punës jashtë Kosovës, duke rritur fluksin e qarkullimit në pikat kufitare.

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera kufitare, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata dhe të lehtësohet qarkullimi në pikat më të ngarkuara.