Këshilli i Prindërve kundërshton vendimin e Qeverisë për shkurtimin e gjysmëvjetorit shkollor

02.12.2020

Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë që përfundimi i gjysmëvjetorit shkollor të bëhet 10 ditë më herët. Përmes një komunikate për media, Këshilli ka thënë se një vendim i tillë nuk është në interes të nxënësve, që edhe ashtu e filluan vitin shkollor me vonesë. “KPK-ja konsideron se gjendja […]

Këshilli i Prindërve kundërshton vendimin e Qeverisë për shkurtimin e gjysmëvjetorit shkollor Foto: Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë që përfundimi i gjysmëvjetorit shkollor të bëhet 10 ditë më herët.

Përmes një komunikate për media, Këshilli ka thënë se një vendim i tillë nuk është në interes të nxënësve, që edhe ashtu e filluan vitin shkollor me vonesë.

“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, KPK është ankuar se nuk është konsultuar nga Qeveria kur është marrë ky vendim.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë pushimi i shkollave do të fillojë me 18 dhjetor dhe do të përfundojë me 18 janar.