Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, takohet me ambasadorin e BE-së, Dirk Schuebel
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, së bashku me anëtarin e KPK-së, Visar Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel.
Foto: Ilustrim
Gjatë takimit është diskutuar për punën dhe prioritetet e KPK-së, reformat në sistemin prokurorial, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.
Gashi e ka falënderuar ambasadorin Schuebel për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndaj sistemit prokurorial dhe për angazhimin në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Në takim është diskutuar edhe për sfidat dhe rekomandimet e Raportit të Progresit të BE-së për Kosovën, si dhe për masat e ndërmarra nga KPK-ja për adresimin e tyre. Një nga çështjet e veçanta ishte integrimi i komunitetit serb në sistemin prokurorial, për të cilin palët u dakorduan se duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
KPK-ja ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka ndërmarrë një varg angazhimesh, përfshirë procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe avancimin e Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Informacionit dhe Lëndëve (SMIL).
Ambasadori Schuebel shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së BE-së për KPK-në dhe e njoftoi kryesuesin për një projekt të ri në fushën e drejtësisë.
Në fund të takimit, Gashi theksoi rëndësinë që rezultatet dhe reformat e ndërmarra nga KPK-ja të pasqyrohen në mënyrë të plotë dhe objektive në raportin e ardhshëm të BE-së për Kosovën.
Takimi u përmbyll me ritheksimin e rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet KPK-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
