KEK nënshkruan kontratën 12 milionë euro për trajtimin e ujërave në TC Kosova B
Korporata Energjetike e Kosovës ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt transformimit mjedisor me nënshkrimin e kontratës për projektin “Trajtimi i ujërave shkarkuese nga Termocentrali Kosova B”.
Ceremonia u mbajt në ambientet e termocentralit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ministren Artane Rizvanolli, ministren Fitore Pacolli-Dalipi dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe UNOPS.
Projekti, me vlerë rreth 12 milionë euro, parasheh ndërtimin e pesë impianteve moderne për trajtimin e ujërave shkarkuese, duke përfshirë ujërat industriale, ato të kontaminuara me vajra, si dhe ujërat sanitare dhe atmosferike.
Sipas zyrtarëve, ky investim do të mundësojë reduktimin mbi 90% të ndotësve kryesorë, eliminimin pothuajse të plotë të hidrokarbureve dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së ujit në lumin Sitnica.
Ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë investimesh të KEK-ut për periudhën 2025–2027, që kap vlerën mbi 500 milionë euro dhe synon modernizimin e kapaciteteve ekzistuese dhe zhvillimin e energjisë së qëndrueshme sipas standardeve evropiane.
