Njësia A4 e Termocentralit Kosova A rikthehet në funksion pas riparimit vjetor
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim pas përfundimit me sukses të riparimit të rregullt vjetor.
Sipas njoftimit të KEK-ut, procesi i startimit të njësisë ka nisur rreth orës 01:00 të mëngjesit, ndërsa pas përfundimit të kontrolleve teknike dhe procedurave të nevojshme, Njësia A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15.
Rikthimi i kësaj njësie në punë pritet të ndikojë në forcimin e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike dhe në rritjen e gatishmërisë së KEK-ut për sezonin dimëror.
KEK ka falënderuar ekipet teknike, inxhinierët dhe punëtorët e Termocentralit Kosova A për angazhimin dhe punën e tyre gjatë realizimit të riparimit.
