Kapen mbi 11 mijë euro në Bërrnjak dhe dhjetëra mijëra dinarë të padeklaruara në një automjet me targa serbe
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë, ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash të padeklaruara në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut.
Kontrolli i përbashkët i realizuar të dielën, më 27 prill 2025, rreth orës 12:55, ka rezultuar me zbulimin e eurove dhe dinarëve serbë brenda një automjeti me targa të Serbisë.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të detajuar të automjetit me drejtues shtetas serb, u gjetën 11.300 (njëmbëdhjetëmijë e treqind) euro në kartmonedha. Përveç kësaj, u konfiskuan edhe 79.780 (shtatëdhjetë e nëntëmijë e shtatëqind e tetëdhjetë) dinarë të Serbisë në kartmonedha, që sipas kursit zyrtar korrespondojnë me rreth 678 euro.
Autoritetet kufitare kanë konstatuar se shuma e parave nuk ishte deklaruar nga drejtuesi i automjetit në momentin e hyrjes në Republikën e Kosovës.
Rasti aktualisht është duke u trajtuar në procedurë të mëtejme nga ana e Doganës së Kosovës për kundërvajtje doganore. Pritet që dogana të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj shtetasit serb në lidhje me tentativën për të futur para të padeklaruara në vend. Ky incident tregon vigjilencën e shtuar të autoriteteve kufitare në parandalimin e veprimeve të tilla.