IQMT ndalon rreth 150 mijë lodra për fëmijë nga Kina, nuk i plotësonin standardet e sigurisë
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina, pasi gjatë kontrolleve është konstatuar se ato nuk i përmbushnin standardet e kërkuara të sigurisë.
Aksioni është realizuar gjatë ditëve të fundit në pikat doganore të Kosovës, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s.Sipas IQMT-së, lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.
Nga ky institucion është theksuar se produktet që nuk përmbushin standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.
IQMT ka bërë të ditur se kontrollet dhe aktivitetet e mbikëqyrjes së produkteve do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së produkteve që vendosen në treg.
150 mijë lodra nga Kina bllokohen në Doganën e Kosovës
