Jasharaj: Së pari të dalin pagat, pastaj ulemi bisedojmë për orët e humbura mësimore

06.10.2022

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj lidhur me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve ka deklaruar se nuk është e drejtë që punëtorëve të administratës t’iu dalin pagat ndërsa atyre jo, ndonëse të dyja ishin në grevë. Jasharaj ka theksuar se nëse ka ndonjë ligj për këtë çështje, ai […]

Jasharaj: Së pari të dalin pagat, pastaj ulemi bisedojmë për orët e humbura mësimore Foto: Ilustrim

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj lidhur me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve ka deklaruar se nuk është e drejtë që punëtorëve të administratës t’iu dalin pagat ndërsa atyre jo, ndonëse të dyja ishin në grevë.

Jasharaj ka theksuar se nëse ka ndonjë ligj për këtë çështje, ai është dashur të jetë i njëjtë për të gjithë. Është dashur të ndëshkohen të gjithë nëse ka qenë nevoja e jo vetëm punëtorët e arsimit, duke shtuar se nuk është e drejtë të bëhen selektime në këtë mënyrë.

“Ne jemi në hall të madh. Çështja që duhet shtruar është se kur grevën e shpalli BSPK-ja, u futën punëtorët e administratave të komunave dhe nivelit qendrorë të ministrive dhe ata të SBASHK-ut.

Ndodhi që shërbyesve civil iu dolën pagat ndërsa kjo nuk po ndodh me arsimin. Nëse ka ndonjë ligj për këtë çështje, ai është dashur të jetë i njëjtë për të gjithë. Është dashur të ndëshkohen të gjithë nëse ka qenë nevoja e jo vetëm punëtorët e arsimit. Nuk është e drejtë të bëhen selektime në këtë mënyrë”, deklaroi Jasharaj në një lidhje telefonike në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, i pari i SBASHK-ut ka deklaruar se fillimisht duhet të bëhet ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit, e pastaj të ulen palët dhe të bisedojnë e të shohin nëse ka mundësi për zëvendësimin e orëve.

“Ministria e Arsimit së pari duhet të shohë pse punëtorët që ajo përfaqëson që nga çerdhet deri në universitet po ndëshkohen dhe nuk po marrin pagat, e më pas të ulemi të bisedojmë [për orët e humbura]”.

Jasharaj ka shtuar se ndonëse MASHTI po kërkon zëvendësimin e orëve të humbura, këtë nuk e parasheh Kontrata Kolektive, por ato mund të kompensohen nëse orët e mësimit humbin si shkak i ndonjë pandemie apo edhe shkaqe të tjera natyrore, por jo si shkak i grevës.

“Mirëpo nëse palët merren vesh për kompensimin e orëve është tjetër çështje. Por sonte nuk mund të flitet për kompensimin e orëve, pyetja është pse shërbyesit morën pagat e mësimdhënësit jo”, deklaroi tutje i pari i SBASHK-ut.