Jasharaj: 7 Marsi i gjen mësuesit shumë të pakënaqur

04.03.2024

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se Dita e Mësuesit, që shënohet më 7 Mars, do t`i gjejë mësimdhënësit me sfida, pakënaqësi e shumë halle.

Jasharaj: 7 Marsi i gjen mësuesit shumë të pakënaqur Foto: Ilustrim

Jasharaj ka thënë se nxënësit dhe mësimdhënësit po e bëjnë garën për dije në shekullin XXI me shkumës e shpuzë, duke shtuar se Qeveria po kërkon suksese me kushte të rënda.

Sipas tij, Qeveria Kurti ua ka vështirësuar jetën punëtorëve të arsimit duke ua mohuar të drejtat e fituara nëpërmjet Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

“SBASHK-u në emër të punëtorëve arsimor kërkoi përmes shkresave që vlera e koeficientit të mos jetë ajo e paralajmëruara që në vitin e kaluar nga ministri Murati, po të jetë se paku 130 euro, por Qeveria nuk e çau kokën për këtë kërkesë tonën dhe të sindikatave tjera, por vendosi për vlerën 110 duke bërë një ngritje ironike të pagës në arsim prej vetëm 28 euro dhe kjo shtoi edhe më shumë pakënaqësitë e të punësuarve në këtë sektor dhe jo vetëm. Qeveria, pa u konsultuar me palët tjera, vendosi edhe për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe si për inat angazhohet të mohojë të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit dhe kështu, në vend që t’ua lehtësojë jetën pak pikërisht kur u duhet, pra me rastin e pensionimit, Qeveria ua vështirëson edhe më jetën atyre që me vite e dekada punuan në arsim sepse do të marrin pensione me të ulëta nga ato që ua garantonte ligji dikur”, thuhet në komunikatën e kreut të SBASHK-ut.

Jasharaj ka theksuar se Qeveria s’po e bën asnjë angazhim për kushtet e punës në shkolla, duke shtuar se s’e ka bërë as ligjin për sigurime shëndetësore.