Hyn në fuqi udhëzimi i ri për shoferët e transportit ndërkombëtar më 9 qershor
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), i cili do të hyjë në fuqi më 9 qershor.
Sipas ministrisë, ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga shoferët dhe operatorët e transportit ndërkombëtar, të cilët janë përballur me vështirësi në mungesë të një baze të qartë ligjore për pajisjen me CKP, situatë që ka sjellë edhe gjoba dhe probleme në kalimin e kufijve.
Me këtë udhëzim të ri, synohet të zhbllokohet procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë dhe të krijohet një sistem më i qartë dhe funksional për lëshimin e CKP-së.
Autoritetet theksojnë se janë ndërmarrë veprime urgjente dhe është angazhuar grup punues profesional për përgatitjen e dokumentit, me qëllim zgjidhjen e një çështjeje të mbetur pezull prej kohësh.
