Hoti: Familjarët e të pagjeturve janë ende në luftë me Serbinë
Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, në prag të 27 prillit – Ditës së të Pagjeturve, ka theksuar se edhe sot, 26 vjet pas luftës, familjarët e personave të zhdukur vazhdojnë të jenë në një “luftë” me Serbinë.
Duke folur në “InfoPlus” në RTK, Hoti tha se dhimbja për 1592 personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 vazhdon të jetë e pranishme. “Një popull që bart me vete dhimbjen edhe 26 vjet pas, në veçanti të 1592 familje që janë ende në luftë me Serbinë e gjen kështu vendin tonë data 27 Prilli 2025, sepse të gjithë këta vazhdojnë në çdo mëngjes, në çdo ditë, në çdo mbrëmje të shpresojnë për të ditur diçka për dashurit e tyre dhe fati I tyre është në dijeninë e tyre që e kanë zhdukur në vitet ’98-‘99, domethënë te Serbia”, deklaroi Hoti.
Ai shtoi se pavarësisht miratimit të Deklaratës së BE-së për personat e zhdukur më 2 maj 2023 dhe themelimit të një komisioni të përbashkët të udhëhequr nga BE në dhjetor të vitit 2024, fati i 1592 personave ende nuk është zbardhur.
“Duke njohur Serbinë, ne nuk kemi pasur shpresë të madhe në rezultatet nga këto dokumente apo të këtij komisioni, por shpresa jonë ka qenë dhe mbetet edhe sot është që bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojë që Serbia megjithatë nuk është shtet normal”, theksoi Hoti.