Hoti dhe Haradinaj-Stublla nuk raportojnë para deputetëve për të pagjeturit, reagon LVV

07.10.2020

Kryeministri Avdullah Hoti dhe vartësja e tij në krye të Ministrisë së Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla nuk i janë përgjigjur ftesës së deputetëve për të raportuar për temën e të pagjeturve në dialogun me Serbinë. Nga të ftuarit ka shkuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që ka thënë se si Qeveri kanë vendosur që ai të […]

Hoti dhe Haradinaj-Stublla nuk raportojnë para deputetëve për të pagjeturit, reagon LVV Foto: Ilustrim

Kryeministri Avdullah Hoti dhe vartësja e tij në krye të Ministrisë së Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla nuk i janë përgjigjur ftesës së deputetëve për të raportuar për temën e të pagjeturve në dialogun me Serbinë.

Nga të ftuarit ka shkuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që ka thënë se si Qeveri kanë vendosur që ai të jetë prezent për të folur për çështjen e personave të zhdukur.

Meqë vetë nuk është prezente, Haradinaj-Stublla delegoi një përfaqësues nga ministria e saj.

Komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, për persona të pagjetur dhe peticione ka filluar mbledhjen nga ora 10:00.

E në lidhje me këtë ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje në një postim në facebook.

Postimi i plotë:

Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj anulojnë raportimin për të pagjeturit në Komisionin parlamentar

Pas trajtimit të padinjitetshëm e të turpshëm të çështjes së personave të pagjetur dhe kushtëzimin e kësaj çështje me “personat e zhvendosur”, si dhe pas refuzimit të mëhershëm të Driton Selmanajt me arsyetimin e cilësimin si temë e konsumuar dhe e ezauruar, sot, në mëngjes, Avdullah Hoti dhe Meliza Haradinaj Stublla kanë anuluar raportimin e tyre për këtë çështje të rëndësishme e të ndjeshme para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Zbardhja dhe kthimi i të pagjeturve është domosdoshmëri dhe duhet të jetë detyrim për Serbinë. Familjet e personave të pagjetur meritojnë të kenë përgjigjen për fatin e të dashurve të tyre dhe kthimin e trupave në tokën e Kosovës. Gjetja dhe kthimi i trupave do të duhej të ishte kusht për fillimin e dialogut e kurrsesi njëra nga temat që konsiderohen si të ezauruara për të mbetur e mbyllur pa zgjidhje. Qëndrimi i këtij delegacioni ishte fyes dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Fyes dhe shpërfillës mbetet edhe sjellja e kësaj Qeverie. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale dhe për këtë çështje nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi e kushtëzimi.

Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës me vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e më të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa, fshehja dhe heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë. Për më tepër vënja e paraleleve me të zhvendosurit, duke i konsideruar si të zhvendosur brenda vendit të larguarit nga Kosova për në Serbi prejudikon Kosovën si pjesë të Serbisë. Përkufizimi ndërkombëtar i nocionit “Persona të zhvendosur brenda vendit”, ka kuptimin e largimit të personave për arsye të ndryshme nga vendi i zakonshëm i banimit…, por që nuk kanë kaluar një kufi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj Stubllas, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur.