Dogana e Kosovës zbulon kanabis në një dërgesë postare, sekuestrohen 10 cigare dhe dy copë torte
Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit të një dërgese postare ka zbuluar substanca të dyshuara narkotike të llojit kanabis.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 23 tetor, pasi gjatë skanimit të dërgesës janë ngritur dyshime nga zyrtarët doganorë, të cilët më pas kanë vendosur t’i nënshtrojnë pakon një kontrolli të detajuar fizik.
Gjatë hapjes së dërgesës janë gjetur 10 cigare të mbushura me substancë të dyshuar si kanabis, si dhe dy copë torte që dyshohet se përmbajnë të njëjtën substancë narkotike.
Lidhur me rastin është njoftuar Njësia e Antidrogës e Policisë së Kosovës, ndërsa dërgesa dhe përmbajtja e saj janë ndaluar për procedim të mëtejshëm.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të kundërligjshëm të mallrave, në bashkëpunim me institucionet kompetente.
