Haradinaj: Janë krijuar kushtet për kthim te votimi i hapur në Kuvend

27.06.2025

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar dy pika që, sipas tij, janë më thelbësoret në vendim.

Haradinaj tha se “praktika e mëhershme e votimit” dhe “domosdoshmëria e bashkëpunimit në mungesë të shumicës” janë dy të gjeturat kryesore të aktgjykimit, ndërsa vuri në pah edhe rëndësinë e përcaktimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

“Vlerësojmë se dy të gjeturat kryesore janë praktika e mëhershme e votimit, ajo është e paraparë, dhe po ashtu, e gjetur e rëndësishme e që theksohet, është domosdoshmëria e bashkëpunimit në këtë rast, pra në rast të mungesës së shumicës,” deklaroi Haradinaj.

Ai theksoi gjithashtu se insistimi për të çuar përpara votimin edhe pa marrëveshje politike apo kompromis është një risi që e nxjerr në pah aktgjykimi i Gjykatës.

“Po ashtu që është tepër e rëndësishme si e re që ka ndodh, është edhe insistimi i marrjes së votës pa marrëveshje, pa kompromis,” u shpreh ai.

Duke iu referuar situatës aktuale politike dhe mundësive për të dalë nga bllokada institucionale, Haradinaj tha se janë pjekur kushtet për rikthimin te votimi i hapur, si dhe për konsultime dhe dakordim rreth kandidatit për kryetar të Kuvendit.

“Janë pjek kushtet t’i kthehemi praktikës së votimit të hapur. Njëkohësisht janë krijuar kushte edhe për konsulta për dakordim për kandidatin,” theksoi lideri i AAK-së.

Deklarata e Haradinajt vjen në një kohë kur partitë politike po zhvillojnë diskutime intensive për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij, në një situatë politike ende të paqartë.