Halitjaha: Gjykata Speciale është sjellë korrekt dhe pyetjet e prokurorëve kanë qenë për luftën e UÇK-së

05.11.2022

Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, që sapo është kthyer nga Haga, ku ka dëshmuar në Gjykatën Speciale, ka treguar se sjelljet ndaj tij kanë qenë korrekte dhe se pyetjet e prokurorëve kanë qenë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Fillimisht më kanë njoftuar me ftesë ata që duhet të shkoj me […]

Halitjaha: Gjykata Speciale është sjellë korrekt dhe pyetjet e prokurorëve kanë qenë për luftën e UÇK-së

Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, që sapo është kthyer nga Haga, ku ka dëshmuar në Gjykatën Speciale, ka treguar se sjelljet ndaj tij kanë qenë korrekte dhe se pyetjet e prokurorëve kanë qenë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Fillimisht më kanë njoftuar me ftesë ata që duhet të shkoj me datën 3, pastaj është shtyrë me datën 17 dhe ka mbetur pezull dhe unë kam pritur arrestimin. Megjithatë, janë sjellë korrekt me mua dhe mirë që janë sjellë ashtu, ka qenë mirë për mua, për familjen, por edhe për ata vet, për imazhin e tyre. Deri më 31 tetor, ku nuk kanë ardhur të më arrestojnë në shtëpi, por më kanë detyruar që të shkojë në aeroport, më kanë siguruar biletën, udhëtimin, përcjelljen deri në Hagë. Kemi shku atje, ka pasur korrektësi në sjellje. Nuk ka pasur ashtu siç kanë qenë ato spektaklet me Jakup Krasniqin e të tjerët, ndoshta edhe s’do të mund ta kisha duruar atë” është shprehur ai.

Halitjaha në Klan Kosova ka treguar se ka pasur pyetje të ndryshme që i janë drejtuar atij.

“Ka pasur pyetje të ndryshme, nuk mundem të hyj, e kam edhe CD me vete, nëse do të kisha të drejtën nga prokuroria, do t’jua jepja CD-në dhe do të kishte me qenë më e qartë për opinionin. Ka pasur edhe të tilla pyetje që çfarë, si i njohim ata, a kemi folur, apo çfarë kemi bërë”, ka thënë Halitjaha.

LEXO EDHE:  Reshje të dendura dhe temperatura të ulëta për ditët në vijim

Halitjaha ka bërë të ditur se pyetjet kryesisht kanë qenë për nivelin e zonës operative ku ai ka qenë zëvendëskomandant.

“Për të gjitha kanë pyetur. Kanë pyetur kryesisht për luftën e UÇK-së dhe kryesisht për nivelin e zonës. Unë nuk jam i thirrur, nuk kam të drejtë të shpërfaqi nivelin e tyre apo detyrat çfarë kanë pasur ata në luftë, apo të bërat apo të pabërat”.

Ai ka thënë se nuk ka pranuar të ketë avokat, sepse siç u shpreh ai, janë të përzgjedhur.

“Të them të drejtën, e para është që avokatët ata i kanë të përzgjedhur. Avokati nuk është i përzgjedhuri im. E dyta, ndikimi i avokatëve deri më tani ka qenë për mua negative, duke u thënë të tjerëve ‘mbylleni gojën, mos thoni gjë’, por pse, duhet ta themi të vërtetën, ne me krenari, me vetëdije e kemi bërë luftën”.

“Ajo që e kemi bërë ne luftën, nuk na akuzon askush, pse nuk akuzohet Zelensky. Është e njëjta gjë sikur pas luftës në Ukrainë ta mbyllin Zelenskyn me stafin e tij, sikurse e kanë mbyllur Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerët. Ne kemi qenë me të drejtë tonë, pse duhet t’i heshtim gjëra, ta themi të vërtetën dhe të ecim përpara, në procedura se kanë ndihmuar fare avokatët”, u shpreh tutje ai.

Etiketat