Gjykata konfirmon aktakuzën për spiunazh ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit për veprën penale të spiunazhit. Muharrem Qerimi akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata ka refuzuar kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhje […]
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit për veprën penale të spiunazhit. Muharrem Qerimi akuzohet gjithashtu edhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata ka refuzuar kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës, të paraqitura nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.
Avokatët e Shabanit dhe Qerimit kishin ngritur një sërë pretendimesh, duke përfshirë marrjen e paligjshme të provave, mungesën e specifikimit të urdhërit të përgjimit nga Gjykata Supreme, mosvërtetimin e pronësisë së telefonit të Shabanit, si dhe pretendimin se provat e siguruara nga Prokuroria ishin publike dhe nuk vërtetonin rrezikimin e rendit juridik në Kosovë. Avokati i Qerimit gjithashtu kishte argumentuar se udhëtimi i tij në Serbi ishte për arsye shëndetësore.
Megjithatë, Prokuroria Speciale ka kundërshtuar këto pretendime, duke i propozuar gjykatës t’i refuzojë ato si të pabazuara.
Pas vlerësimit të pretendimeve të palëve dhe përgjigjes së Prokurorisë, Gjykata ka ardhur në përfundimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen. Sipas Gjykatës, nga përgjimet e telekomunikimeve të Shabanit me Srdjan Rociq, i janë dhënë informacione, dokumentacion dhe raporte që lidhen me luftën e UÇK-së dhe eprorët e saj. Gjithashtu, nga ekzaminimi i telefonit të Shabanit janë gjetur materiale dhe fotografi që e ndërlidhin atë me veprën e spiunazhit. Për personin Rosiq, Gjykata ka konstatuar se nga burime të hapura vërtetohet se është zyrtar i BIA-s serbe.
Në rastin e Qerimit, Gjykata ka gjetur se ai ka kaluar kufirin për t’u takuar me zyrtarë të BIA-s dhe ka mbledhur informacione për grupe kriminale, policinë, biznese dhe vepra penale në Kosovë.
Gjykata ka refuzuar pretendimet e mbrojtjes për shpallje të papranueshme të provave, duke vlerësuar se ato janë siguruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin e AKI-së.
Të akuzuarit kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij vendimi brenda dhjetë ditësh.
Aktakuza ndaj Shabanit dhe Qerimit u ngrit më 19 shkurt 2025, duke i ngarkuar ata se kanë mbledhur dhe dërguar informacione tek BIA serbe lidhur me UÇK-në, institucionet e sigurisë së Kosovës dhe ngjarje specifike si masakra e Reçakut, me synimin për të shkaktuar konflikt ndëretnik dhe të krijojnë një narrativë të pavërtetë.