Aeroporti i Cyrihut rikthehet në normalitet pas ndërprerjes së fluturimeve
Aeroporti i Cyrihut është rikthyer në funksionim të plotë pas një ndërprerjeje disaorëshe të fluturimeve të dielën në mëngjes.
Sipas kontrollit zviceran të trafikut ajror, Skyguide, shkak i situatës ishte një problem teknik me sistemin e vizualizimit të hapësirës së kufizuar ajrore mbi Bürgenstock, ku po zhvilloheshin bisedimet SHBA-Iran.
Për arsye sigurie, hapësira ajrore në Zvicrën Lindore u mbyll përkohësisht, duke pamundësuar ngritjen e avionëve nga Aeroporti i Cyrihut. Njësia e krizës së Skyguide u aktivizua menjëherë dhe specialistët arritën të identifikonin dhe të zgjidhnin problemin teknik.
Operacionet e fluturimeve nisën gradualisht nga ora 07:45 dhe tashmë po zhvillohen pa kufizime të mëdha. Megjithatë, kapaciteti i hapësirës ajrore do të mbetet pak i reduktuar si masë paraprake deri të hënën në mëngjes.
Ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i fluturimeve dhe pasagjerëve të prekur nga ndërprerja, por dhjetëra fluturime ishin planifikuar të niseshin nga Cyrihu gjatë mëngjesit.
