Durmishi: Ura e Badocit është e sigurt dhe stabile, testimi formal do të bëhet nesër

08.01.2025

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura së fundmi për sigurinë e Urës së Badocit, duke siguruar qytetarët se ura është projektuar dhe ndërtuar sipas standardeve më të larta profesionale dhe është plotësisht stabile.

Sipas deklaratës së tij, ura ka kaluar përmes të gjitha inspektimeve të nevojshme profesionale gjatë fazave të ndërtimit, përfshirë atestet parakohore të materialeve, si dhe testimet e betonit dhe armaturës. Ai theksoi se këto procese janë kryer me përgjegjësi maksimale, për të garantuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e saj.

“Ura e Badocit është projektuar dhe ndërtuar me standardet më të larta të projektimit dhe ndërtimit. Prandaj, me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile,” tha zëvendësministri Durmishi.

Ai shtoi se gjatë ditëve të fundit, ura ka mbajtur pa asnjë problem peshën e makinerive të rënda që kanë kaluar mbi të, duke vërtetuar qëndrueshmërinë e saj. Për të adresuar çdo shqetësim publik, Durmishi njoftoi se nesër do të kryhet një testim formal për të konfirmuar stabilitetin e urës.

Zëvendësministri gjithashtu kritikoi përpjekjet për të ngjallur pasiguri tek qytetarët lidhur me këtë çështje, duke theksuar se këto janë të pabaza dhe nuk reflektojnë gjendjen reale të urës.