ZKA: Prokurimi për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk u zhvillua plotësisht sipas parimeve të prokurimit publik

21.08.2026

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar një sërë mangësish në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autoudhëve A7 dhe A6 për periudhën 2025–2028.

ZKA: Prokurimi për mirëmbajtjen e autoudhëve nuk u zhvillua plotësisht sipas parimeve të prokurimit publik Foto: Ilustrim

Sipas raportit të auditimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, të zhvillohej plotësisht në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.

Procedura ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë. Megjithatë, hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj, si pasojë e kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit.

Për shkak të vonesave, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të siguruar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve gjatë sezonit dimëror. Përmes katër kontratave gjashtëmujore, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. ZKA vlerëson se këto procedura kishin kufizuar konkurrencën dhe kishin ofruar më pak transparencë sesa procedura e hapur.

Auditimi ka evidentuar mangësi edhe gjatë vlerësimit të ofertave. Në disa raste, Komisioni i Vlerësimit nuk kishte kërkuar sqarime për paqartësi teknike, formale apo metodologjike, duke rritur rrezikun për trajtim jo të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Një tjetër gjetje lidhet me përzgjedhjen e ofertave. Sipas ZKA-së, Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Një kombinim alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15 për qind më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar.

Dallime të mëdha janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë. Në Llotin 3, 77 nga 113 pozicione, apo 68 për qind e tyre, ishin ofertuar me çmime më shumë se 90 për qind më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi.

ZKA ka identifikuar gjithashtu rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi, pasi kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur më herët angazhim profesional me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve. Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar te autoriteti kompetent.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar nevojën për planifikim më të hershëm, kritere të qarta dhe vlerësim të dokumentuar të ofertave, me qëllim sigurimin e konkurrencës së drejtë dhe vlerës më të mirë për paranë publike.

Për përmirësimin e procesit të prokurimit dhe përdorimin më efikas të fondeve publike, ZKA ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Suspected Malware | Cloudflare

Warning

Suspected Malware

This website has been reported for potentially distributing malware.

Malware is malicious software created to intentionally disrupt the normal operations of a device.

Learn More