Durmishi: Progres i madh në ndërtimin e urës mbi lumin Ibër, në shtator pritet të hapet për qarkullim

03.08.2025

Punimet në ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër po ecin me intensitet dhe brenda afateve të planifikuara. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se tashmë janë vendosur trarët kryesorë të kësaj ure, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të projektit.

Sipas Durmishit, vetëm një muaj e dy ditë pas fillimit të punimeve, është përfunduar betonimi i pilotave, themeleve dhe shtyllave të urës. Ditën e djeshme dhe sot janë vendosur 18 trarët kryesorë, të cilët janë prodhuar dhe betonuar më parë në një punishte në Bair të Mitrovicës.

“U betonuan pilotat e betonit, u përgatitën, armuan e betonuan themelet e urës, u përgatitën, armuan e betonuan shtyllat e urës. Dje e sot u vendosën 18 trarë të cilët ishin përgatitur, armuar e betonuar në një punishte në Bair të Mitrovicës”, ka njoftuar Durmishi.

Në fazën e mbetur të punimeve parashihet betonimi i pllakës së urës dhe vendosja e shtresës së asfaltit, të cilat do të finalizojnë këtë projekt infrastrukturor të rëndësishëm.

Zëvendësministri konfirmoi gjithashtu se në muajin shtator, ura do të jetë plotësisht funksionale për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë dhe duke përmirësuar lidhjen rrugore ndërmjet brigjeve të lumit Ibër.